fbpx
Connect with us

‘Unifikimi’, hapet në Prishtinë ekspozita e mahnitshme e studentëve të pikturës

Kult

‘Unifikimi’, hapet në Prishtinë ekspozita e mahnitshme e studentëve të pikturës

Arbër Selmani

“Këtij studenti ia kan

Arbër Selmani

“Këtij studenti ia kanë vrarë babanë në luftë, prandaj në secilën pikturë të tij janë edhe dy sy të cilët e përcjellin figurën kryesore të pikturës, janë sytë e babait” tregon Zake Prelvukaj derisa ecim bashkë me të nëpër ekspozitën ‘Unifikimi’.

Ekspozita mbrëmë u hap në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, nga nxënës të klasës së pikturës në Fakultetin e Arteve, me profesoreshën Prelvukaj si mentoren dhe përcjellësen e tyre në këtë udhëtim.

Dy katet e Shtëpisë së Evropës kanë marrë ngjyrim tjetër. Pikturat duken sikur janë punuar nga profesionistë që ‘qëndisin’ deri në detaje, ndërsa secili prej piktorëve të rinj nuk ka më shumë se 22 pranvera në këtë jetë.

Aida Radoniqi ka pikturuar dorën e saj dhe një unazë të madhe, e cila brenda saj ka një prapanicë. Aida tregon se po merret me ciklin seksual të jetës së njeriut, një temë për të cilën duhet guxim dhe jo çdokush e posedon për ta sjellë në diskursin publik.

Drenusha Dalipit i pengon teknologjia dhe fakti se si edhe truri ynë mes të tjerave pëson nga fakti se gjithçka në jetë tanimë na çon drejt telefonit dhe kërkimeve online.

Ekspozitën e hapën Vjosa Berisha nga Shtëpia e Evropës dhe Zake Prelvukaj, bashkë edhe me studentët të cilët afroheshin shpesh afër pikturave të tyre për të biseduar me audiencën kureshtare.

“Jemi të lumtur që Shtëpia e Evropës po vazhdon të promovojë artistët e rinj dhe kjo ekspozitë është vazhdimësi e këtij angazhimi” tha Vjosa Berisha gjatë hapjes së ekspozitës.

“Këta studentë nuk dijnë vetëm të pikturojnë, dijnë edhe ta shpjegojnë punën e tyre, shkruajnë, studiojnë. Unë mësoj prej tyre, atyre u duhet hapësirë më e madhe e punës dhe mbështetje më e madhe. Këta janë më të mirë dhe më të talentuar sesa ne, sesa një pjesë e gjeneratës sonë. Këto punime sot janë vetëm një pjesë e vogël e punës që këta artistë e kanë krijuar në këto vite studimi” tregon Zake Prelvukaj, e cila u ka qëndruar mbi kokë studentëve gjatë këtyre punëve artistike.

Endrit Imeri tregoi për KultPlus se edhepse ka nisur vonë me pikturën, realizmi i ka pëlqyer gjithmonë prandaj edhe e sjellë atë në punimet e tij.

“Dikur ka qenë kohë më e mirë, kur kemi pasur kohë më shumë për veten dhe për argëtim. Sot interneti e ka bërë punën e vet, dhe me anë të njërës prej pikturave të mia kam dashur ta paraqes pikërisht këtë fenomen” tregon Imeri.

Ardrit Lutolli, Engji Jaha, Armansa Pjetrovic, Erita Aliu, Aida Radoniqi, Shkamb Jaka, Drenusha Dalipi, Renea Begolli, Endrit Imeri, Luiza Thaqi, Ulpiana Kurtaj dhe Artin Ibrahimi ishin pjesëmarrësit në këtë ekspozitë. Disa prej punimeve janë në shitje, të tjerat studentët thonë se duan ti ruajnë dhe janë lidhur shumë me to për t’i shitur. / KultPlus.com

More in Kult

Te fundit

Facebook

Populare

To Top