fbpx
Connect with us

Të rimëkëmbim shtëpinë e shpirtrave të shqiptarëve

Opinione

Të rimëkëmbim shtëpinë e shpirtrave të shqiptarëve

Tërmeti dhe qëndrimi i shoqërisë shqiptare

Tërmeti dhe qëndrimi i shoqërisë shqiptare ndaj pasojave që ai la, duket që jo vetëm është kompleks, shumëplanësh dhe i vështirë, por edhe ende i paravijëzuar siç duhet. E kjo nuk duhet të na alarmojë, por të na bëjë të meditojmë sa më thellë e sa më gjatë për të gjetur rrugët dhe mënyrën më të përshtatshme se si ta përballim këtë fatkeqësi natyrore. Deri tani është fokusuar më shumë ana ekonomike dhe sociale e problemit, duke lënë mënjanë anën psikologjike. Nëse nuk do të qe nga padija, gjendja do të qe me të vërtetë për t’u qortuar. Por edhe nëse do të qe nga shkujdesja, nuk mund ta vlerësonim më butë. Tërmeti nuk rrënoi vetëm shtëpi e plasariti aq shumë të tjera, përtej se la jashtë mijëra njerëz, por shkundi dhe plasariti fort shtëpinë shpirtërore të shqiptarëve, ashtu me mure të brishtë aq shpesh të rrezikuar nga varfëria dhe pasiguria, e për më tepër aq shumë të rreshkur e tharë nga mungesa e shpresës dhe ringjallja herë pas here e frikës. Për këtë shtëpi deri më tani nuk është kujdesur askush, në një kohë kur çdo qasje ekonomike dhe politike, anën psikologjike e çmon më shumë se një krizë, më shumë se sa një tragjedi natyrore, më shumë se sa një zhvlerësim monetar. Sepse besimi, pritshmëria, reputacioni dhe optimizmi janë sot monedha më e çmuar e shoqërive, që vënë në lëvizje si një zemër të gjitha venat dhe arteriet social-ekonomike. Për këtë arsye, nëse do të duam të kryejmë një rimëkëmbje të plotë e thelbësore, nuk mjafton vetëm të rimëkëmbim dëmet materiale, as të arnojmë plagët sociale, por parësisht të rindërtojmë shtëpinë e shpirtit të shqiptarëve. Nga këtu duhet të nisë çdo gjë, nga këtu duhet të nisë shërimi, që për fat të keq nuk është aq i thjeshtë e i lehtë sa mund të duket. Nuk është plasaritur vetëm cipa e sigurisë së këtij shpirti nga frika ekonomike për të ardhmen, nga mosbesimi se shtëpitë do ndërtohen vërtet dhe nga mungesa e shpresës se fajtorët do të dënohen dhe ligji këtë herë duhet të tregojë të gjithë fuqinë e vet. Është shkundur tërë themeli i kësaj ndërtese, ka lëvizur guri i qoshes së kësaj shtëpie, e cila tashmë siguron se edhe lëkundja më e vogël, shumë shpejt mund ta rrëzojë të gjithë shtëpinë. Edhe ky konstatim nuk është bërë deri tani, pasi siç ndodh gjithmonë, gjithkush është përqendruar te studiojë e të mendojë gjërat e jashtme, pa menduar shumë për problematikat e brendshme. Mirëpo janë pikërisht këto probleme, ato më thelbësoret për t’u përballur, ato më të rrezikshmet për t’u kapërcyer, e kësisoj edhe më të vështirat për t’u zgjidhur. E zgjidhja e tyre fillon pikërisht nga konceptimi i rëndesës që ka kjo qasje edhe për të gjithë fushat e tjera të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Më tej, metodat dhe mënyrat që duhen përdorur për këtë rindërtim të brendshëm, paralelisht me atë të jashtëm, nuk janë ato të zakonshmet, konvencionalet. Ato kërkojnë strategji të tjera më krative, më profesionale, më të imta dhe më kapilare. Është detyrë parësore e Ministrive të Kulturës dhe Arsimit që duhet të paraprijë këtë proces, nëpërmjet një mjeti që duket i përgjithshëm, në vështrim të parë, por që nëse përdoret me efikasitetin e duhur dhe në fushën e duhur, mund të ndryshojë shumëçka. E ky mjet është kultivimi i kulturës së ringritjes, nëpërmjet forcës së durimit, mobilizimit të të gjitha fuqive të brendshme dhe kësisoj, rikrijimit të një qëndrese të vazhdueshme shpirtërore që do ta ushqejë dalëngadalë rimëkëmbjen dhe shërimin. Kultura dhe gjithë gjeneruesit e saj, duke filluar nga libri, botimet, shkollat, universitetet dhe shoqëria civile është britma e njeriut në fytyrë të fatit. Tërmeti që e ka shkundur, plasaritur apo pjesërisht rrëzuar shtëpinë e shpirtrave tanë nuk mund të qaset me ushqimin e fatalitetit, as me anashkalimin e shpresës. Nevojiten shërues të tjerë me përbërës të veçantë psikologjikë, sociologjikë e pse jo dhe artistikë, ata që duhet të organizohen në një strategji afatshkurtër dhe afatgjatë. Duhet të organizohen projekte të vazhdueshëm nëpër shkolla e universitete, që të kultivojnë durimin, përkujdesjen e plagëve të tilla të veçanta, kurimin e qëndresës së brendshme në përballjen e vështirësive, për të mos e dorëzuar veten dhe për t’i dhënë forcë e guxim dinjitetit dhe krenarisë shqiptare dhe njerëzore. I gjithë ky projekt mund të vishej fare mirë me një rrobë artistike (siç mund të ishin aktivitetet, konkurset, veprimtaritë promovuese etj.), për ta bërë sa më argëtues edhe edukimin. Por gjithsesi, ai do të shërbente vetëm si fazë fillestare, për një projekt më të gjerë, mbarëkombëtar, më të thellë dhe më të targetëzuar. Shpirti shqiptar duhet të kultivojë durimin, qëndresën, përbashkësinë dhe jo lëshimin e përgjegjësive dhe anarkinë e përhershme, ku gjithkush sheh se si e si t’i shpëtojë vetë situatës. Kultura psikologjike, vetjake dhe unitare, e shoqëruar pse jo edhe me kulturën e punës vullnetare, duhet të nisë të kultivohet e të zërë rrënjë në shpirtin tonë. Nuk kemi pse anashkalojmë dorën e ndihmës në këtë rimëkëmbje, edhe të kulturës fetare. Përkujdesi dhe shërimi shëlbyes i shpirtrave që afron një qasje e tillë është më e forta dhe më rigjeneruesja, që mund të na i forcojë shumë themelet e të na sigurojë një të ardhme më të mirë e më të sigurt. Janë të shumtë faktorët dhe elementët e veçantë që mund të përfshihen në këtë projekt, por kryesorja është që të arrihet të konceptohet si domosdoshmëri fakti se rimëkëmbja e jashtme, materiale, ekonomike nuk mund të kalojë pa rimëkëmbjen e brendshme, shpirtërore të individit shqiptar. Nëse së parës i dihen dëmet, i përllogariten efektet, së dytës ato as i imagjinohen dot. Ndaj le të fillojmë t’i konsiderojmë ato sa s’është vonë. Vonesat e së parës mund të zgjasin ankthin, në rastin e dytë ato kanë të bëjnë me lëngesën, me agoninë.

Burimi: http://www.gsh.al

More in Opinione

Te fundit

Facebook

Populare

To Top