fbpx
Connect with us

Shpëtoni Durrësin turistik!

Opinione

Shpëtoni Durrësin turistik!

Tani që puna kryesore për eliminimin e pasoj

Tani që puna kryesore për eliminimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit është përqendruar në strehimin e familjeve që janë nxjerrë nga pallatet dhe banesat e vlerësuara të pabanueshme dhe po kalon në vlerësimin financiar, pas mbërritjes së ekspertëve nga Banka Botërore, të flasësh për turizëm dhe industrinë tonë turistike të përqendruar në Durrës tingëllon paradoksale. Megjithatë, qarku Durrës ka 40 për qind të numrit të përgjithshëm të hoteleve të vendit. Ka mbi 350 hotele. Turizmi është industria numër një e vendit. Turizmi hyrës në Shqipëri dha 1.76 miliardë euro në vitin 2018, ose mbi 16 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të vendit. 90 për qind e avionëve turistike çarter që erdhën në dhjetëmujorin janar-tetor 2019 kishin destinacion kryesor Durrësin. Kjo zonë gjeneron mbi 700 milionë euro nga turizmi. Një pjesë e madhe e familjeve durrsake jep dhoma me qira në verë. Turizmi është një mënyrë jete për qytetin antik. Ai nuk duhet harruar. Ai duhet shpëtuar! Turizmi në Durrës është goditur fort, në zemër të tij. Nuk bëhet fjalë për hotelet e shembura(ato numërohen me gishtat e njërës dorë), as për hotelet e pabanueshme dhe ato të dëmtuara rëndë. Të gjitha së bashku nuk bëjnë as sa 7 për qind të të gjithë hoteleve në qarkun e Durrësit. Dëmin më të madh e kemi në imazhin e Durrësit turistik. Në besueshmërinë e tij si vend pushimi i sigurtë. Zona e plazhit Durrës-Golem, ndër më të goditurat nga tërmeti, është destinacioni më i madh në Shqipëri për pritjen e turistëve të huaj për pushime në plazh. Prandaj dhe nevojitet një program i shpejtë dhe konkret për ta shpëtuar Durrësin. Së pari, riparimi i dëmeve fizike në hotelet dhe apartamentet pritëse duhet të fillojë menjëherë, për t’i kthyer të gatshëm për sezonin e ri të plazhit. Vetë pronarët e hoteleve do të mundohen ta bëjnë menjëherë, qoftë me kompanitë e sigurimit, nëse e kanë bërë hotelin me kredi dhe janë siguruar, me bankat apo fondet e tyre. Një gjë është e sigurtë, përpara se sa operatorët e huaj turistikë të rrezikojnë duke dërguar sërisht turistë në Durrës, do të vijnë të shohin me sytë e tyre dhe të kontrollojnë mirë sigurinë e hoteleve që përpara tërmetit i pranonin natyrshëm si të sigurta. Është e domosdoshme të sigurohemi që riparimet të mos jenë maskime të defekteve, por riparime tërësore për ndërtesa të sigurta. Së dyti, menjëherë duhet bërë kontrolli teknik i ndërtesave në zonën Durrës-Golem, për të shkuar deri në mbyllje të atyre hoteleve dhe apartamentëve pritëse që nuk garantojnë sigurinë për turistin. Qeveria mund të ndihmojë me një projekt të veçantë që të behet çertifikimi sizmik i tyre, mundësisht nga kompani të njohura ndërkombëtare. Këto çertifikata do të kishin vlerë të madhe besueshmërie për vazhdimin dhe mos anulimin e kontratave dhe pronotimeve në mars-prill 2020 për sezonin veror 2020. Së treti, operatorët turistikë të huaj mund të subvencionohen nga shteti ynë për të vazhduar të dërgojnë turistë nga vendet e tyre për në Durrës. Kjo është një praktikë e njohur e aplikuar nga autoritetet turke pas tërmetit shkatërrues të vitit 2011. Mund ta provojmë edhe ne. Së pesti, hotelet dhe operatorët vendas turistikë në Durrës duhet të mbështeten nga qeveria për pjesëmarrje të zgjeruar në panairet ndërkombëtare, për të promovuar ofertën e tyre. Së gjashti dhe së fundmi, lehtësirat fiskale për hotelet dhe veprimtarët turistikë janë të domosdoshme për një periudhë kohore 2-3 vjet, derisa Durrësi të marrë veten dhe të rritet sërisht numri i vizitorëve. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për netët në hotel në Durrës duhet bërë zero për një periudhë të paktën 3 vjeçare. Qeveria mund të vendosë në dispozicion një fond garancie dhe kompensimi për bankat tregtare që ofrojne kredi për bizneset turistike në Durrës, duke mundësuar linja kredie të butë me kohë shlyerje të gjatë 15-20 vjet. Ka shumë mundësi të tjera për të ndihmuar Durrësin tonë turistik. Mjafton vullneti i fortë dhe synimi i qartë për të ringritur “Bukuroshen” e dëmtuar të Dyhrrachium (emri antik i Durrësit). Nëse “harrojmë” ta ndihmojmë dhe shpëtojmë, të paktën 400 milionë euro të ekonomisë sonë kombëtare (rreth 4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit) të harrojmë se do t’ i kemi për vitin që po troket,

Burimi: http://www.gsh.al

More in Opinione

Te fundit

Facebook

Populare

To Top