fbpx
Connect with us

Rreth “Mini Shengenit”

Opinione

Rreth “Mini Shengenit”

Para samitit në Durrës, 20-21 dhjetor 2109

Para samitit në Durrës, 20-21 dhjetor 2109

Shkelzen Maliqi

Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Durrës me
20 dhe 21 mund të shihet si vazhdimësi e samiteve të ngjashme që janë mbajtur
viteve të fundit në kuadër të të ashtuquajturit Proces i Berlinit, që e ka pas
ecurinë e dobishme (ndonëse jo spektakulare sipas pritjeve) për shtendosjen e
përgjithshme në rajon dhe avancimin e raportëve të ndërsjella mes Shqipërisë,
Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Në ndërkohë, janë mbajtur dy samite gjysmake të liderëve të vetëm tri
vendeve, Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonis së Veriut, ku është promovuar një
nismë më e konkretizuar e bashkëpunimit dhe krijimit të tregut të përbashkët në
rajon çuditërisht pa prezencën dhe miratimin e tre vendeve tjera. Në të
vërtëtë, nismëtarët nuk e ideuan projektin si të cunguar, përkundrazi e shohin
si projekt që përfshinë 6 shtete, ku edhe ato që nuk morrën pjesë  në dy samitet e para, parashihet të
përfshihen në nismë.

Këtë projekt, pasi që bazohet në modelin e përshtatur për rajon të
integrimeve europiane, shtypi e ka quajtur “Mini Shengen ballkanik”.
Megjithatë, Kosova, Mali i Zi dhe pjesërisht Bosnjë-Hercegovina, reaguan ndaj
kësaj nisme me kundërshtime dhe refuzime të pjesëmarrjes. As tani para samitit
të Durrësit nuk është aspak e qartë a do të jetë samiti i plotë me gjashtë
pjesëmarrës, apo gjysmak. Sidomos është e komplikuar çështja e pjesëmarrjes së
Kosovës në Durrës ngase Kosova ende nuk ka Qeveri të re funksionale, dhe për
opinion nuk është sqaruar formati dhe agjenda konkrete e samitit dyditor në
Durrës. Nëse bëhet fjalë për vazhdimin e samiteve të treshës nismëtare që janë
mbajtur në Novi Sad dhe Ohër, mendoj se të paktën Kosova dhe Mali i Zi nuk do
të janë të përfaqësuara në Durrës. Ndërkaq, nëse samiti i rradhës është
paramenduar pa imponimin e nismës së treshës që po kontestohet fuqishëm, dhe
për qëllim e ka kthimin në kornizat e Procesit të Berlinit, ndoshta mund të
ketë pjesëmarrje të plotë në binaret jokontestuese. 

Roli i Kosovës në procesin e
shtensionimit të rajonit

Nëse je përkrahës i
bashkëpunimit të ngushtë të vendeve të Ballkanit Perëndmor nuk mund të mohohet
rëndësia e samiteve, edhe të këtij në Durrës, por është vështirë të ketë pajtim
me nismën gjysmake që shkaktoi çarjen në dy blloqe të rajonit. Nisma gjysmake
kontribuoj në diçka që është absolutisht e kundërta e intencave të mira, sepse
fuqizoi mosbesimin dhe dyshimet se pas ngutisë së treshës Vuçiq, Rama, Zaev
fshehet një rrezik që nuk mund të neglizhohet me besimin të verbër se projekti
është frymëzuar nga intencat e mira. 
Mendoj se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia gabuan që në Novi
Sad, ndonëse në atë moment të motivuara me permbushjen e interesave të tyre të
veçanta në raport me BE-në, inauguruan projektin e “mini Shengenit” pa
koordinimin paraprak me tri vendet tjera.

Vetë ideja e nevojës së
bashkëpinimit më të ngushtë mes gjashtë vendeve në parim nuk është e keqe e
mbase as e dëmshme siç po alarmohet, por duhet pranuar se inicialisht është
bërë gabimi në hapa dhe pastaj, kur u shfaq zhurma kundërshtuese, nuk ka pas
përpjeke që të sqarohet mirë dhe në detaje se cilat do të ishin përfitimet
konkrete afatëshkurta dhe ato afatgjata për të gjitha vendet, si dhe me çfarë
ecurie do të arrihej një dakordim i përbashkët për projektin pa shkaktuar
disbalancat në përfitimet dhe dëmtimet eventuale në ekonomi, politikë dhe
sferat e tjera të bashkëpunimit.

Më delikate në këtë proces
është pozita e Kosovës. Nuk mund të anashkalohet çështja e statusit të Kosovës
në projektin se a do të bëhet pjesë e nismës pa njohjen e pavarësisë së saj nga
Serbia, apo do të jetë krejtësisht e barabartë në çdo aspekt të negociimit të
marrëveshjeve. Supozohet se Kosova dhe Serbia do të duhej të kishin arritur një
marrëveshje finale të normalizimit të plotë të marrëdhenieve të ndërsjella.
Kosova eventualisht do të mund të ishte pjesë e procesit nismëtar në fazën e
konstruktimit ideor të projektit, por jo pa garanca se nuk do të jetë kështu në
fazën e zbatimit të tij. Statusi i parashikuar i Kosovës në stadin e zbatimit
do të duhej të ishte i barabartë me atë të Serbisë dhe të shteteve tjera të
Ballkanit Perëndimor.

Pra, në fillim Kosova do të
mund ta “heshtte” taktikisht mosnjohjen e pavarësisë së saj nga ana e Serbisë
(dhe, mos të harrohet, e Bosnjë-Hercegovinës), por vetëm nëse i garantohet
obligimi i Beogradit që ta ndryshojë preambulën e Kushtetës së Serbisë që
Kosovë e definon si pjesë të pandashme të këtij shteti, si dhe të zotohet për
qasje konstruktive dhe jo opstuktive në përfundimin e dialogut për normalizmin
e marrëdhenieve Kosovë-Serbi, që do të siguronte njohjen e ndërsjellë.

Krijimi i mirëbesimit

Për fuqizimin e mirëbesimit
që është dëmtuar dhe ka rënë në pikën më të ulët që duket sikur po shëndërohet
në një gjendje permanente vendnumëruese dhe vështirë të riparueshme, do të
duhej të shmangeshin polarizimet e ashpra konfrontuese në trajtimin e interesit
strategjik të vendeve të Ballkanit Perëndmor që prej kohësh perspektivën e tyre
zhvillimore e kanë lidhur me integrimet euro-atlantike. por që kriza aktuale e
BE-së e ka kthyer në një proces të kushtëzuar dhe të përmbysur: BE-ja pothuajse
po heq dorë nga zgjërimi i saj me vendet e Ballkanit Perëndimor.  Prevalenca aktuale e doktrinës së Makronit
“Be-ja duhet rregulluar vetën para se të shtrihet në Ballkan” ku integrimi nuk
shihet më si i domosdoshëm por projktohet me kushtëzime shtesë dhe madje si
ecuri reversibile, Ballkanin Perendimor po e kthen në një gropë gjeostrategjike
me të ardhme të pasigurtë që godet fuqishëm ëndërrat evropiane të forcave
demokratike në zonën e “Mini Shengenit”, ndërkaq që fuqizon ideologjitë dhe
lëvizjet izolacioniste dhe antieuropiane.

Është interesante se si
opozita djathtiste në Serbi po e kundërshton po aq ashpër “mini Shengenin” sa
edhe kundërshtaret e këtij projekti në Kosovë, madje me argumente praktikisht
të përkthyeshme të një kallëpi të mendimit. 
Në këto qarqe antievropiane dhe proruse serbe po thuhet se projektimi
edhe vetëm ideor i një statusi të barabartë të Kosovës në samitet e Balkanit
Perendimor çon praktikisht te njohja e pavarësisë së Kosovës dhe, në një
instancë të mëvonshme, krijimin e hapësirës së përbashkët ekonomike dhe
politike për shqiptarët në rajon, që ata e quajnë afirmim dhe pranim nga ana e
Vuçiqit për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Këtyre prorusëve nuk u bën përshtypje
që “mini Shengeni” e bën bashkë edhe pjesën dërmuese të trojeve ballkanase të
banuara me serbë, e që e djathta në Kosovë, e edhe më gjërë, po shihet si
krijim të një “Jugosllavi të re” e cila në thelb do të ishte dominion i
“Serbisë së Madhe”. “Sërbia e Madhe” dhe “Shqipëri e madhe” në këto diskurse në
të vërtetë janë gogolët që duhet t’i frikësojnë para së gjithash Maqedoninë e
Veriut dhe Malin e Zi, por edhe Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën e
“dardanizuar”, nga krijimi i një boshti dominues Tiranë-Beograd, si refleks i
boshtit Berlin-Paris që ka qenë dhe mbetet ende kurriz i balanceve që e kanë
mundësuar krijimin e BE-së dhe tani, pas Brexitit të pashmangshëm, sërish duhet
të rivitalizohet si aks i stabilitetit dhe ardhmërisë së BE-së për t’i ikur domino
efektit që do të mund ta shëmbte megastrukturën në lëkundje të dy shtyllave të
saj me seli në Bruksel, BE-në dhe NATO-n.  

Mini-shengeni dhe marrëdhëniet Kosovë- Shqipëri Përderisa ka ndodh gabimi në hapa, ai po ndikon keq dhe ua jep zjarr keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve të shumta në raportet Kosovë – Shqipëri. Mendoj se këto mund të sqarohen në ndërkohë kur do të kemi qeverinë e re të Kosovës dhe bisedime sqaruese në relacionin Tiranë – Prishtinë. Për mua është indikative se emisarët special për Kosovën të SHBA-ve e kanë përkrahur nismën e “Mini-Shengenit”. Duhet të vlerësohet mirë dhe pa dyshime paragjykuese ose diskurse idhnake, edhe ky aspekt i suportit që vjen nga Washingtoni, si dhe, ndoshta jo në mënyrë aq të hapur, nga BE-ja.  Politika kosovare duhet ta ul topin në grindjet joparimore duke analizuar në hollësi dhe mënyrë kritike projektin. Gjithnjë ka kohë që ai të refuzohet me argumente që e tregojnë si proces dëmtues, ose të kërkohen korrigjime për pjesët që vlerësohen se janë rrezik për sovranitetin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës karshi ambicjeve “gëlltitëse”, nëse ekzistojnë si të tilla, të Serbisë, por edhe të Shqipërisë. Subjektësia politike, ekonomike e Kosovës duhet dhe mund të mbrohet, por jo në termet e izolacionizmit që dëmton fqinjësinë dhe ndërvarësinë e mirë të subjekteve të barabarta.

Linku origjinal:

MEDIAL.mk

More in Opinione

Te fundit

Facebook

Populare

To Top