fbpx
Connect with us

Me peshkun dhe Bibliotekën Kombëtare, Zeneli prezanton artin e tij në Prishtinë

Kult

Me peshkun dhe Bibliotekën Kombëtare, Zeneli prezanton artin e tij në Prishtinë

Arbër Selmani

E nisim nga fundi.

Arbër Selmani

E nisim nga fundi. Një video tregon një peshk dhe një peshkaqen teksa sillen e stërsillen përreth Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, duke trembur njëri tjetrin e duke prekur lehtë kupolat e ndërtesës që herë cilësohet si e shëmtuar e herë futet në listën e objekteve më të bukura në Evropë. Peshku fluturues dhe peshkaqeni njashtu janë motiv për tu futur në Bibliotekë, në përdhesën e saj, në katin e parë, në katin nëntokë, për të luajtur me dritën dhe me dokumentet e kësaj Biblioteke. Peshku, si dron, shëtitet gjithandej nëpër Bibliotekë dhe jashtë saj, pa njerëz.

Kjo është puna e re dhe e fundit në udhëtimin e ekspozitës së Driant Zenelit e cila u hap mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës. ‘N’përpjekje për me u çue’ sjellë disa punë të Zenelit. Shikuesi futet nëpër një rrugicë, jo si rëndom në Galerinë Kombëtare, dhe vazhdon të parakalojë në secilën punë të shkodranit.

Disa punë janë prej punëtorive të ndryshme që Zeneli ka angazhuar në Kosovë e Shqipëri, me pjesëmarrjen e të rinjve e artistëve tjerë shqiptarë. Muret e bardha janë shkruar me shkumës me dorë. Në një dhomë të galerisë, një pikturë e Zenelit me mustaqe është vendosur sipër televizorit ku shihet se si është krijuar piktura, një thumbim i kohës komuniste dhe i të kaluarës së Zenelit i cili dosido ka dëgjuar për komunizmin dhe dikur është ndikuar nga ai.

Alicia Knock, një prej dy kuratoreve të ekspozitës, tregon se Driant Zeneli, artist i njohur tanimë – fitues i disa çmimeve artistike dhe përfaqësues i Shqipërisë në Bienalen e Venedikut, gjithmonë përkujdeset që të deklarojë diçka me ekspozitën e tij. Knock është pjesë e Pompidou në Paris dhe në Prishtinë erdhi për të folur për ekspozitën e artistit.

“Titulli i ekspozitës sot, sikur edhe ekspozitat tjera të Zenelit, është një deklaratë. Drianti përkujdeset gjithmonë të shpërfaqë efektet e iluzionit – të vërtetën dhe imagjinaren. Drianti vjen nga Shqipëria, që nuk është shoqëria më e lehtë për të jetuar brenda saj, megjithatë ai si artist shkon gjithmonë përtej, madje duke takuar njeriun edhe me mitet e humbura – me natyrën, me kozmosin, me Diellin, me peshkun. Merret me realitetin që është shpesh shumë kompleks dhe operon jo rrallë edhe duke u mbështetur në dështimet njerëzore” thotë kuratorja Alicia Knock e cila bashkë me Claudia Buizza e kanë kuruar ekspozitën në formën e saj.

Tabela, banka, objekte, libra, fletore, të gjitha janë vënë në mishmash në një dhomë tjetër, ky një ndërtim që po e preku dikush rrëzohet dhe me përceptim të syrit duket sikur shkatërrimi do të ndodhë edhe prej vetë syrit të audiencës.

Artisti i lindur në vitin 1983, fitues i çmimit MOROSO dhe laureat i 2009 the Young European Artist Award Trieste Contemporanea, ka vendosur që përdorë disa mediume në këtë ekspozitë. Pos videove, instalacioneve dhe letrave të varura në mur që japing tregime të ndryshme, ai merret edhe me objekte të ndryshme, sa futuristike aq edhe pjesë e iluzionit të krijuar brenda ekspozitës.

“Është një përmbledhje e punëve të mia, ndërsa videoja e fundit është ajo që është punuar në Prishtinë para pak muajsh dhe po vjen për herë të parë në ekspozitë. Sa herë vij në Kosovë për mua është kënaqësi dhe kjo ekspozitë e tregon emocionin” tregon artisti Driant Zeneli.

Në hapjen e ekspozitës në Galerinë Kombëtare të Kosovës, drejtoresha Arta Agani shprehu falenderimin e saj për ardhjen e Driantit me këtë ekspozitë personale dhe të përthekuar të inspirimit të tij artistik dhe pjekurisë artistike.

Ambasadori Italian në Kosovë, Piero Sardi, u shpreh falenderues që ekspozita po vjen edhe si pjesë e Javëve të Gjuhës dhe Kulturës Italiane, me Driantin i cili një pjesë të karrierës së tij e ka ndërtuar dhe fokusuar rreth Italisë.

Në hapjen e ekspozitës foli edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 31 janar 2020.   / KultPlus.com      

More in Kult

Te fundit

Facebook

Populare

To Top