fbpx
Connect with us

Koalicioni bashkëqeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së duket të jetë i pashmangshëm dhe pa alternativë

Opinione

Koalicioni bashkëqeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së duket të jetë i pashmangshëm dhe pa alternativë

Po vonohet por do të bëhet : Pas zgjedhjeve

Po vonohet por do të bëhet : Pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 , të gjithë menduam se marrëveshja për koalicion bashkëqeverisës  midis LVV -së dhe LDK-së është çështje ditësh aq më parë që ishte një dashuri parazgjedhore të dy subjekteve politike për një koalicion. Rezultatet ishin të qarta dhe nuk u kundërshtuan nga asnjë subjekt politik që nuk i fituan zgjedhjet dhe të cilat po të njëjtën natë deklaruan se i pranojnë këto rezultate dhe se kalojnë në opozitë duke e përjashtuar përfshirjen në çdo qeveri e që nuk kishte ndodhë më parë, Pra , opozita u bë shembull i korrektësisë duke i lënë pozitës përgjegjësinë për formimin e shpejtë të institucioneve.

Edhe faktori ndërkombëtar pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe inkurajoi partitë që fituan zgjedhjet të formojnë institucionet. Në asnjë rast faktori ndërkombëtar nuk përmendi se partitë nga krahu i luftës duhet të jenë pjesë e qeverisë , madje u intensifikuan ftesat nga të ashtuquajtura Dhoma Speciale në adresë pikërisht të liderëve politikë , ushtarëve dhe eprorëve të UÇK – së të krahut të luftës , si kontribut konkret për defaktorizimin e tyre dhe kriminalizimin , ende pa filluar dhe përfunduar një proces gjyqësorë ! Ndërkombëtarët ishin kundër krahut të luftës dhe këmbëngulnin se : “ populli ka votuar për ndryshime dhe se duhet të jetësohet ky vullnet ..”. Zyrat e LVV –së dhe të LDK-së  u bënë vend ku ndërkombëtarët bënin pelegrinazhin politik dhe ku, sikur në Fontana Trevi në Romë , pasi të keni hedhur ndonjë monedhë shfaqnin dëshirat e të cilat ishin ; e para , vazhdimi i bisedimeve me Serbinë , fleksibilitet në këto bisedime dhe arritja e një marrëveshjeje për normalizim të marëdhënieve , heqja e taksës 100 % për mallrat serbe dhe të tjera si luftimi i krimit të organizuar , korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik llogariteshin si fakultative , nëse i bëni , mirë do të bëni , nëse nuk i bëni nuk bëhet kijameti me kusht që të vazhdohen bisedimet fleksibile me Serbinë ! Albin Kurti i fitoi zgjedhjet duke e renditur LVV –në në vend të parë kurse LDK-ë doli e dyta. Nga një politikan që realisht nga ndërkombëtarët ishte shpallur persona non grata , Albin Kurti u shndërrua në peshk të artë po për të njëjtit ndërkombëtarë . LVV fitoi zgjedhjet dhe nuk u kundërshtua nga opozita por , në fakt , përmes kushtëzimeve për poste dhe ndarje të barabartë të pushtetit u kundërshtua dhe po kundërshtohet nga LDK-ë e cila po thotë se ka mandat nga populli për ndarje të barabartë të pushtetit. Në rrethana normale asnjëherë nuk barazohen vendi i parë me vendin e dytë kurse te ne në jo pak raste vendi i tretë ka fituar më shumë se fituesi i zgjedhjeve . Apo edhe partitë embrionale sikur Lista Rugova dhe Kooperativa e Marecit merrnin sa të donin poste duke i zgjedhur ato ku kishte para dhe , në këtë mënyrë e fëlliqën skenën politike në Kosovë . LDK –ë, ndonëse nga viti 2006 asnjëherë nuk ka fituar zgjedhjet , hiç këtu qeverinë Haradinaj ( gjysmë mandati ) kurrë nuk ka mbetur jashtë pushtetit prandaj nuk mund të lirohet nga përgjegjësia.

Po pse bëri gabime në hapa LVV –ë dhe pse LDK-ë ka pozicione më të forta negociuese se vet LVV –ë : Albin Kurti ka kapacitet politik , patriotik dhe profesional të bëhet një lider i fuqishëm nëse është më racional në dhënie të premtimeve dhe nëse i analizon më me kujdes rrethanat objektive , vendore dhe ndërkombëtare. Albin Kurti nuk e ka kapacitetin artistik të Rembrantit për të vizatuar vija të kuqe. E as të Ticianit . Vijat e kuqe të Albinit ndaj PDK-së, AAK-së , Nisma-së dhe Listës Serbe e fuqizuan shumë LDK-në , duke e lënë si lojtar të vetëm që do të vendosë , edhe për Albinin kryeminister ashtu edhe për formimin e qeverisë së përbashkët. Me “ rekomandimin “ e ndërkombëtarëve , semafori politik për Listen Serbe ndryshoi dhe tani për ta ndizet vetëm drita jeshile , nuk ka dritë të kuqe. Albini u përpoq ta frikësoi LDK-në me zgjedhje të reja në kohën kur këto zgjedhje nuk i përkrah askush , përveç Valdete Dakës dhe KQZ-së ( për shkaqe humanitare sigurisht ) dhe disa kandidatëve për deputetë që , për një grusht votash nuk janë bërë deputetë ! Sikur edhe me disa sondazhe që e nxirrnin LVV –në fituese absolute , me 130 deputetë ! Albini e injoroi , jo Hashim Thaçin por institucionin e presidentit duke e shpërfillur skajshmërisht. Gabim tjetër ishte se e mbivlerësoi shumë subjektin që e drejton kurse e nënçmoi partnerin për bashkëqeverisje. Albini e shtriu kosën shumë gjerë sikur që hapi shumë fronte gjithandej ku jetojnë shqiptarët , me politikanë , gazetarë dhe shoqëri civile . Gabimi më i madh i Albinit ishte se e nënçmoi kapacitetin politik , vendosmërinë dhe shkathtësinë negociuese të Isa Mustafës për të cilin ishte i bindur se do të gëlltiste me një lugë uji. Ka gabuar rëndë sepse Isa doli të jetë “ kafshatë që s’kapërdihet …” . Albin Kurti mendoi se , përmes Vjosa Osmanit do të sigurojë vota të mjaftueshme në kohën kur pushtetin  e vendimarrjes në këtë parti e kanë Agim Veliu , Lutfi Haziri me çetën e elefantëve  që i shërbyen LDK-së , që nga dita e themelimit , pra me një stazh pune 30 vjeçare. Vjosa Osmani me skifterët adoleshentë të LDK-së , nuk janë veprues në LDK-ë por e kanë rolin e zhurmuesit. Albini , në njërën anë deklarohej për partneritet me LDK-në kurse , me veprime dhe paraqitje publike krijonte antagonizëm të thellë dhe një mjedis jobashkëpunues. Në mbledhjen konstituive të Kuvendit në kohën kur kishte bisedime për bashkëqeverisje me LDK-ë, Albini fillimisht është dashur , në fjalën e tij të kërkonte që LDK-ë ta propozonte kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe nëse ata do të refuzonin , e sigurisht do ta refuzonin atëherë do e propozonte Glauk Konjufcën për kryetar dhe do ta kishim një situatë tjetër ku Albini do të fitonte epërsi. Edhe të ndani postin e kryetarit të Kuvendit për partnerin ( LDK – ë) , edhe ta zgjidhni kandidatin tuaj , çfarë partneriteti është ky ? Edhe emrat e ministrave të LVV –së që u bënë publik , pa marrëveshje me partnerin sikur edhe nominimi për kryeministër , gjithashtu pa pëlqimin e partnerit të mundshëm për bashkëqeverisje , e lënduan procesin dhe arritjen e marrëveshjes . Pastaj , komunikimi përmes videoincizimeve me publikun e margjinalizonte vullnetin për takime me partnerin e shtratit qeveritar ! Propozimi për rritje të ministrive dhe alleshverishet me poste e zbehën besimin për një Koalicion të Shpresës . Ku keni parë ju që , sot po e zgjedhim kryetarin e Kuvendit , nesër e shkarkojmë apo dorëhiqet për t’u zgjidhur  Vjosa Osmani në mënyrë që pas një viti , të shkarkohet Vjosa e të ngarkohet Glauku , si kryekuvendar. Kjo do të ishte e papranueshme edhe për Këshillin e Pleqve dhe të Mençurve të fisit Zulu në Afrikë apo adashëve të tyre në Muçiverc e lëre më për një koalicion që , për mision të shenjtë e ka deklaruar çkapjen e shtetit duke e promovuar një kapje shumë të gërditshme , nëse do të bëhej kështu. Pastaj , përmes rrënimit të autoritetit të Glauk Konjufcës , edhe LVV –ë do të pësonte humbje të votave ! Albin Kurti problemin dhe pengesën më të madhe do ta ketë me bisedimet me Serbinë , nëse bëhet pjesë e tyre për faktin se ( Ha ) Shimi  ia ka lënë këmbët e arushës në duar ! Është rregull i shkruar dhe i pashkruar se kush kruhet me arushën , nuk ndahet mirë !

Isa Mustafa , politikani më
i fuqishëm sot në Kosovë

: Po kam probleme edhe në familje por edhe me miq kur e them se sot në Kosovë ,
Isa Mustafa është politikani më i fuqishëm. Po më thonë nëse Isa ma ka ndarë
librezën e LDK-së dhe se po e amnistoi Isen nga e kaluara gjë që nuk është e
vërtetë. Unë po e vlerësojë shkathësinë negociuese të Ises dhe instiktin
jashtëzakonisht të zhvilluar për mbijetesë në kushte edhe më të skajshme . Disi
sikur Ber Grills në National Geografic ! Isa Mustafa e shpëtoi LDK-në nga një
ndarje e madhe pikërisht në prag të zgjedhjeve të fundit . Ai po menaxhon
jashtëzakonisht mirë negociatat me Albin Kurtin në rrethana kur , më shumë ka
probleme me LDK-në se me LVV –në. Të balanconi këtë situatë ku kërkohet
efikasitet dhe saktësi sikur të një xhongleri që ecën në trapez në një cirk ,
nuk është aspak lehtë , është shumë vështirë ! Isa Mustafa nuk magjepset me
Vjosën , Dritonin apo skifterët e rinjë të LDK-së që ende nuk e kanë përfunduar
stazhin e praktikantit por fort mbahet për Agimin , Luten dhe ujqit e vjetër të
LDK-së. Ju mund ta akuzoni Agim Veliun për çka të doni por në asnjë mënyrë për
mungesë të patriotizmit dhe tabanit kombëtar. Babai i Agim Veliut nuk ka qenë
shoqërues as i Titos , Rankoviqit , Veli Devës , Sinan Hasanit e Rrahman
Morinës por ka qenë përkrahës dhe sekretar i Shaban Polluzhës . Mjafton ! Kur
Luto – Gllava ( Kokë Luta  ) , pas
zgjedhjeve thoshte se post i kryeministrit kalon nëpër zyrat e LDK-së , nuk ia
peshonin fjalët por ia kujtonin vathin në kërthizë sikur të bëhej fjalë për
Morena Tarakun e jo për një politikan të rryer gjatë përvojes më shumë se 30
vjeçare. Deri më tani , thuaja në të gjitha duelet , Isa Mustafa i ka mundur të
gjithë përjashtuar Shpendin që fluturoi lart me krihët e PDK- së , si kryetar i
Prishtinës. E ka mundur Fatmir Sejdiun , 
Hashim Thaçin dhe nuk do të mundet as nga Albini. Madje , albini duket
se do t’i dali më i lehti për faktin se vet Albini deklaroi publikisht se : “
kryeminister mund të bëhet vetëm me LDK-në dhe Isa Mustafën  …” që ndikoi në uljen e aksioneve politike
të Albinit dhe rritjen e kapitalit politik të Ises . I veshur me vija të kuqe ,
si nonsens politik , është e vërtetë se Albin Kurtit , portën drejt postit të
kryeministrit mund t’i hapë vetëm Sezami ( Isa Mustafa ) dhe askush tjetër. Kjo
është kur vet i fusni spicat në rrotën e qerres ku jeni ju . Pastaj , Isa
Mustafa , si dhelpër jo polare por malore ( nga malet e Prapashtices ) , nuk
është e rastit se kushtëzimin për koalicion me LVV-ë e ndërlidhi me viziten e
Grenellit dhe parashikimin futuristik të Nostradamusit nga Buroja e që , krejt
rastësisht ndërlidhen me këtë kohë !

Kombinimet e mundshme :                                                                                                

  1. Jam
    99 % i sigurt se koalicioni LVV –ë dhe LDK-ë do të bëhet dhe se nuk shoh asnjë
    mundësi tjetër ! Rrethanat janë të tilla . Edhe është më mirë të jetë kështu.
    Le të provohen dhe le të dëshmohen përballë një opozite , deri tani shumë të
    urtë dhe konstruktive por shumë të fuqishme . Se do të bëhet ky koalicion , kam
    dy dëshmitarë ; Grenellin nga Berlini që nesër ua sjellë marrëveshjen për
    koalicion dhe draft marrëveshjen për normalizim të marëdhënieve me Serbinë
    sikur edhe Hashim Thaçin – Shimën që këtë e pohoi nga Davosi i Muçibabes . Për
    një kredi politike, e cila pashmangshëm do të dërgojë në proces të përmbarimit
    , falimentimit dhe likuidimit , garantues më të sigurt dhe më të besueshëm se
    Grenellin dhe Shimen nuk mund t’i gjeni.
  2. Hipotetikisht
    Qeveria e Pakicës mund të bëhet vetëm sa për ta votuar Buxhetin e Kosovës dhe
    mund të mbijetojë , jo nga dita në ditë por nga sekonda në sekondë .
  3. Koalicioni
    LDK – AAK – NISMA – dhe pakicat është i pabesueshën sepse , jo që nuk do të
    kishin dëshirë ta bënin këtë por se në rrethanat aktuale asnjë politikë
    ndërkombëtare , racionale por edhe idioteske nuk do të lejonin që LVV –ë dhe
    PDK-ë të mbesin në opozitë . Në prag të marrëveshjes “ historike “ me Serbinë.
    Marrëveshja për fluturim në linjën Beograd – Prishtinë shumë i ka ndihmuar
    Kosovës për faktin se tash ka mundësi t’i fusë në përdorim 50 aeroplanë Boion
    747 si dhe 5 airbusa , fjala e fundit e teknologjisë .

Lakmia të detyron të bësh gabime : Një pjesë e opozitës po i gëzohet dështimit eventual të marrëveshjes
midis LVV –së dhe LDK-së e që nuk do të ndodhë . Shima , nga margjinat e
Davos-it tha , pa ekuivoke se : “ së shumë shpejt Albin Kurti Do ta formojë
qeverinë dhe se ai ( Shima ) do të bashkëpunojë ngushtë për të mirën e Kosovës
, derei në fyerjet dhe kërcënimet e radhës.

Prandaj , e mira e së mirës do të ishte që opozita
ta merr seriozisht rolin opozitar dhe të mos shpresojë si : “ Muça pas daive
…”. PDK –ë e ka rastin që përmes qëndrimit në opozitë të lirohet nga
parapaguesit e posteve dhe beneficioneve , pa dhënë asnjë kontribut. Të tillët
i kanë shumë të zhvilluara shqisat e nuhajtjes në përgjithësi dhe saktësisht e
dallojnë , falë sensorëve të instaluar që nga përfundimi i luftës , se kur mund
të fitojnë apo se kur është zbrazur grazhdi !

Me faljen e Xhumasë skadon afati kohorë i Isa
Mustafës dhe po të njëjtën kohë Grenell do t6ë pijë shlivovicë , me leskovaçki
roshtil me Vuçiqin në Beograd kurse Shima do ta studijojë ( mendjethellë dhe
mendjendritur është Shima ) draftin e marrëveshjen apo Traktain Thaçi – Vuçiq i
përfunduar shumë kohë më parë . Ose jam shumë i mençur ose jam shumë i huçur ,
mundësi tjetër nuk ka !

Për fund edhe një thënie skajshmërisht filozofike
: Nuk është kurrfarë rreziku për Kosovën gripi kinez  sa varfëria kosovare dhe sidomos politika
kosovare ! Pikë !

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com/

More in Opinione

Te fundit

Facebook

Populare

To Top